BallinaPraktikaFikhuNdalimi i mashtrimit gjatë shitblerjes

Ndalimi i mashtrimit gjatë shitblerjes

Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Me një rast, derisa Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ishte në treg, kaloi afër një togu (grumbulli) të ushqimit (që ishte për shitje), kur e futi dorën në të, atij iu njomën gishtat (nga lagështira). Ai tha: ‘O pronar i ushqimit, çfarë është kjo?’ Pronari tha: ‘O i Dërguar i Allahut, e ka zënë shiu (ushqimin)’ Ai i thotë: ‘Po t’i kishe vënë (të njomat) mbi ushqim që ta shohin njerëzit.’ Pastaj tha: “Nuk është prej neve ai që na tradhton.” Shënon Muslimi dhe Tirmidhiu.

Koment i hadithit

Mashtrimi është një fenomen mjaft i rrezikshëm në shoqëri. Ai tani te shumë njerëz është bërë element i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërnjerëzore, madje disa e rendisin atë edhe si aftësi mjaft të çmuar që duhet njohur mirë, nëse dëshirojmë përparim dhe avancim në punën që e bën, si në shitblerje, gjatë punës, derisa edhe nxënësi kur të hyjë në provim bazohet, në atë që do të arrijë të kopjojë, e jo në atë që ka mësuar.

Allahu i Lartësuar e ka ndaluar mashtrimin dhe ua tërhoqi vërejtjen atyre që e praktikojnë në ajetin kuranor:

“Të mjerët ata që peshojnë! Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, e kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangët.” Mutafifin, 1-3.

Këto ajete, përmbajnë kërcënime për njerëzit që e lënë të mangët peshoren, por, vallë çfarë është gjendja e atyre që tradhtojnë, vjedhin, keqpërdorin, mashtrojnë të tjerët me qëllim që ata vetë të përfitojnë?

Hadithi i lartpërmendur sqaron se si duhet të jetë praktika e njerëzve gjatë bashkëpunimit të ndërsjellë. Sinqeriteti, çiltërsia duhet të jetë bazë në marrëdhëniet tona me njerëzit, kështu që të fitohet besimi, lidhja dhe dashuria vëllazërore. Në anën tjetër të mënjanohet ligësia, mllefi, urrejtja dhe mosbesimi.

Për fat të keq, shumë nga tregtarët besojnë se pa tradhti, ose së paku pa gënjeshtër, është e pamundur të fitohet, prandaj shohim se njerëzit kur e njohin një person se është tregtar, atëherë edhe nuk ndiejnë besim ndaj tij. Sikurse, mashtrimi dhe gënjeshtra janë bërë pjesë të këtij profesioni. Kurse ne e dimë se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka qenë tregtar dhe e ka lavdëruar këtë punë, pastaj shumë nga shokët e tij si Ebu Bekri, Uthmani, etj., kanë qenë tregtarë të njohur. Por, të gjithë këta në punën e tyre kurrë nuk kanë mashtruar e gënjyer dhe ata kanë arritur të fitojnë dhe të bëhen të pasur.

Vërtet rreth dispozitave dhe normave që kanë të bëjnë me tregtinë në Islam ka mjaft çfarë të thuhet, posaçërisht rreth mashtrimeve që janë të përhapura gjatë shitblerjes, por ne nuk do të zgjerohemi me shpresë se në ndonjë rast tjetër do tu qasemi atyre më gjerësisht, por në këtë vend do të ndalemi vetëm në pikën që përmendet në hadith, pasi flitet rreth një shprehje mjaft të përhapur te tregtarët. Ajo që është bërë zakon te njerëzit që merren me tregti është se kur e ekspozojnë mallin në dyqanet ose edhe në tezgat e tregjeve, i vënë pemët dhe perimet më të mira dhe myshteriu vjen të blejë kualitetin që po e sheh, kurse shitësi i vendos në qese perimet që janë poshtë dhe që kanë filluar të prishen.

Nga ky hadith, mjaft qartë, kuptohet se në çfarë kritere duhet të nisemi, nëse dëshirojmë të bëjmë marketing rreth mallit që e kemi në shitje. Mënjanimi i hipokrizisë dhe gënjeshtrës është esenciale në këtë dhe kjo vërtetohet me pjesën e fundit të hadithit: “Nuk është prej neve ai që na tradhton.”

Por, nuk do të thotë se njeriu nëse ka ndonjë mall, i cili nuk është kualitativ ose ka ndonjë defekt, mos ta nxjerrë atë në shitje, jo kjo nuk nënkuptohet nga hadithi në asnjë formë. Shitësi ka të drejtë t’i shesë të gjitha llojet e mallrave, por nëse ka ndonjë defekt malli, atëherë ai duhet ta ketë parasysh këtë gjatë vendosjes së çmimit dhe t’ia sqarojë mangësinë atij që e blen. Ashtu siç e këshilloi Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) këtë njeri, që ta vërë ushqimin e njomur përmbi, ta shohin njerëzit defektin dhe kush dëshiron ta blejë të kuptojë se çfarë lloji i ushqimit është duke iu ofruar.

Dobitë nga hadithi

1. Domosdoshmëria e sqarimit të mangësive të mallit që shitet nga ana e shitësit.

2. Nëse bëhet ekspozimi i mangësisë që të shihet me sy, nuk është e domosdoshme të përmendet gjatë shitblerjes ajo, pasi myshteriu është duke e parë.

3. Ndalimi i mashtrimit dhe tradhtisë gjatë shitblerjes dhe se kërcënimin që e ka bërë Profeti (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) rreth personit që e bënë atë.

4. Domosdoshmëria e këshillimit të ndërsjellë nga muslimanët.

Përgatiti : Alaudin Abazi

Must Read