Pesë gjëra që të largojnë nga mëkatimi ndaj Allahut
(bisedë e një asketi me një mëkatar)
Një njeri shkoi tek Ibrahim ibën Ed`hemi –Allahu e mëshiroftë-, i cili vërtet ishte nga shëruesit e zemrave, dhe iu drejtua:
Njeriu: Me të vërtetë unë e kam ngarkuar veten së tepërmi me mëkate. Më trego çka më pengon dhe largon nga mëkatet?
Ibrahimi: Nëse i përmbahesh pesë gjërave, kurrsesi nuk do të jesh prej mëkatarëve.
Ishte tepër i pasionuar për të dëgjuar këshillën e tij.
Njeriu: Më trego ç`ke për të më thënë, o Ibrahim?!
Ibrahimi: Kur dëshiron t`i mëkatosh Allahut, mos ha asgjë nga rriskut i Tij!
Njeriu i habitur, pyeti:
Njeriu: Si po thua kështu, o Ibrahim, kur të gjitha furnizimet janë prej Allahut?!
Ibrahimi: Ndonëse ti po e di këtë, Ai prapë po ta mundëson të hash prej rriskut të Tij, kurse ti po ia kthen me mëkat.
Njeriu: Jo, o Ibrahim, tregoma të dytin!
Ibrahimi: Kur dëshiron t`i mëkatosh Allahut, atëherë mos bano në tokën e Tij.
Njeriu u habit edhe më shumë se më parë.
Njeriu: Si po thua kështu, o Ibrahim! E tërë toka është pronë e Allahut.
Ibrahimi: Ndonëse ti po e di këtë, Ai prapë po ta mundëson që të banosh në tokën e Tij, kurse ti po ia kthen me mëkat.
Njeriu: Jo, o Ibrahim, tregoma të tretin!
Ibrahimi: Kur dëshiron t`i mëkatosh Allahut, atëherë gjeje një vend ku nuk do të të shihte Allahu, e aty mëkatoji.
Njeriu: Si po thua kështu, o Ibrahim! Ai është më i Dituri për fshehtësitë (di të dukshmen dhe të padukshmen), i dëgjon rrapëllimat e buburrecit në gurin e zi e në natën e errët.
Ibrahimi: Ndonëse ti po e di këtë, vallë a të nxitë diçka që ta kundërshtosh?!
Njeriu: Jo, o Ibrahim, tregoma të katërtin!
Ibrahimi: Kur të vijë Meleku i Vdekjes, për të ta marrë shpirtin, thuaji: “Ma shtyj afatin e exhelit.”
Njeriu: Si po thua kështu, o Ibrahim! Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo popull ka afatin e vet. Kur t`i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (Araf: 34)
Ibrahimi: Kur po e di këtë, si po e shpreson shpëtimin?!
Njeriu: Po, tregoma të pestin, o Ibrahim!
Ibrahimi: Kur të të vijnë zebaninjtë –të cilët janë melekët e Xhehenemit- për të të futur në Xhehenem, mos shko me ta!
Njeriu me t`i dëgjuar këto pesë këshilla, tha duke qarë: “Mjafton, o Ibrahim!” Unë po i kërkoj falje Allahut dhe te Ai po pendohem.
Ai iu qas ibadetit derisa u largua nga kjo dynja.
Përkthyen nga arabishtja:
Jeton dhe Burim KOÇINAJ