BallinaPraktikaFikhuQëndrimi juridik i fesë islame mbi abortin pas fryrjes së shpirtit

Qëndrimi juridik i fesë islame mbi abortin pas fryrjes së shpirtit

 

Qëndrimi juridik i fesë islame mbi abortin pas fryrjes së shpirtit

 


Feja islame e trajton abortin krim kundra njerëzimit, kurse në anën tjetër i ka mundësuar embrionit që t’i gëzojë të drejtat e foshnjës së lindur, pra duke e konsideruar këtë si pasuri që duhet të ruhet dhe njëherazi do të merret në pyetje Ditën e Gjykimit, nëse keqpërdoret.

 

 

 

Ndër të drejtat që Islami i garanton embrionit në këtë fazë të zhvillimit janë ringjallja para Allahut dhe kërkimi i llogarisë ndaj kriminelëve nëse vritet pa faj; përkujdesja e ruajtjes së shëndetit të femrës me barrë dhe lirimi i saj nga obligimet që mund ta rrezikojnë barrën, si p.sh. lirimi nga agjërimi i Ramazanit; ndalimi i martesës së femrës me barrë, nëse shkurorëzohet përfundimisht- pa kthim, apo i vdes burri, derisa ta lirojë barrën; ndalohet ekzekutimi i dënimit mbi femrën shtatzënë, nëse shtatzënia rrjedh si rezultat i prostitucionit, derisa të lirohet barra dhe të përfundojë gjidhënia.

 

 

 

Para se të flasim mbi trajtimin e abortit nga këndvështrimi islam, është e rrugës që shkurtimisht ta qartësojmë se kur faktikisht është koha e fryrjes së shpirtit te fëmija.

 

 

 

Ju bëjmë me dije se fetarisht nuk kemi të dhëna të shumta për shpirtin, e kemi fjalën rreth materies së përmbajtjes së tij, nuk janë dhanë argumente se prej çfarë materie Allahu e ka krijuar shpirtin, çfarë peshe ka, etj.. Është sekret ndër sekretet e Allahut, i Cili nuk i dha njeriut shumë dituri për të, siç thotë Allahu në Kuran: [B]“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve u është dhënë fort pak dije.”[/B] (El-Isra, 85)

 

 

 

Filozofët dhe shkencëtarët e vjetur mjaft janë orvatur që të sjellin të dhëna rreth shpirtit, por nuk kanë sjellë asgjë më tepër sesa na ka njoftuar Kurani, prandaj dhe gjurmimi rreth kësaj çështjeje është i pafrytshëm.

 

 

 

Imam Neveviu në shpjegimin e koleksionit të Imam Muslimit thotë: “Shpirti është një trup i padukshëm që qarkullon në trupin e njeriut dhe është i ngjitur për të siç është i ngjitur uji për bimën e njomë.” (Sahih Muslim 18/278)

 

 

 

Disa dijetarë islamë thonë se ngjitja e shpirtit me trupin është në katër mënyra:

 

 

 

A) Ngjitje në mitrën e femrës, e cila është ngjitje e dobët, ngase jeta në të është në favor të trupit, prandaj ngjitja e shpirtit për trupi gjithashtu është e dobët.

 

 

 

B) Ngjitja në jetën e kësaj bote, ku jeta në këtë fazë është në favor të trupit, kurse shpirti i bashkëngjitet atij, prandaj ngjitja e shpirtit në këtë fazë është e arsyeshme me qëllim që të qëndrojë trupi në këtë botë.

 

 

 

C) Ngjitja e tij mbas vdekjes- jeta në varr, ku jeta në të është në favor të shpirtit, kurse trupi i bashkëngjitet atij.

 

 

 

D) Ngjitja e shpirtit me trupin pas ngritjes së njerëzve për t’u llogaritur para Allahut xh.sh. Ditën e Gjykimit. Kjo është ngjitja më e plotë, jeta është për të dyja edhe për trupin, edhe për shpirtin dhe ky është lloji më i madh i ngjitjes.

 

 

 

 

 

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme rreth çështjes se kur ndodh fryrja e shpirtit te fëmija. Ne po i veçojmë tre mendime si më të njohura nga juristët islamë të kaluar dhe të tanishëm:

 

 

 

Mendimi i parë: Shpirti i frymohet fëmijës pas kalimit të njëqind e njëzet ditëve pas fekondimit. Ky është mendimi absolut i juristëve islamë nga e kaluara dhe e tanishmja. Lidhur me këtë shumë juristë sjellin edhe konsensusin islam, siç janë: Ibën Abidini, Kurtubiu, Neveviu, ibën Kudame, etj.. Njëherazi Ibën Haxheri na sjell edhe konsensusin e mjekëve në kohën e tij.

 

 

 

Argumentet e këtij mendimi:

 

 

 

Ndër argumentet më të fuqishme është hadithi i temës, ku në këtë hadith qartazi tregohet se shpirti frymohet në përfundim të periudhës së fundit të zhvillimit, që është plotësimi i muajit të katër dhe hyrja në të pestin – 120 ditë.

 

 

 

Mendimi i dytë: Shpirti i frymohet fëmijës pas kalimit të njëqind e tridhjetë ditëve. Këtë mendim e mbron Ibën Abasi, Said ibën Musejib dhe Ahmedi në një transmetim.

 

 

 

Argumentet e mendimit të dytë:

 

 

 

1) Kanë argumentuar me citatin kuranor i cili flet mbi kohën e pritjes- idetin e grave që u ka vdekur burri.

 

 

 

Allahu xh.sh. thotë në Kuran:

 

 

 

“E ata që vdesin dhe lënë gra pas veti, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë…” (El Bekare, 234)

 

 

 

Për mënyrën e argumentimit me këtë citat Katade thotë: “E kam pyetur Said ibën Musejibin rreth dhjetëshit në këtë citat e më tha: “Në të frymohet shpirti te fëmija.”

 

 

 

2) Transmeton Ibën Abasi r.a., duke thënë: “Kur fara –sperma të hidhet në mitër, qëndron katër muaj e dhjetë ditë në të, e më pas i frymohet shpirti.” (Transmeton Lalekaiu fi usul elitikad 1060) Hadithi vlerësohet si i dobët sipas verifikuesit të haditheve të Xhamiu ulumi velhikem 1/163.

 

 

 

Mendimi i tretë: Shpirti frymohet mbas kalimit të dyzet apo dyzet e pesë ditësh nga fekondimi.

 

Ky është njëri nga mendimet e njohura të Imam Ahmedit, një nga mendimet e Imam Shafiut, Said ibën Musejibit dhe Is’hakut. Të këtij mendimi janë edhe disa juristë islamë nga e kaluara dhe e tanishmja si dhe ky është mendimi i një pjese të madhe të mjekëve, në bazë të një vendimi të aprovuar në një simpozium të shoqatës të shkencave mjekësore islame mbajtur në Jordani në vitin 1413-1415h.

 

 

 

Argumentet e mendimit të tretë:

 

 

 

1) Citati kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Për Allahun, Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë–baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues.” (Elmu’minun, 12-14)

 

 

 

Mënyra e argumentimit me këtë citat thonë këta dijetarë se fjala e Allahut në këtë citat “pastaj atë e bëmë krijesë tjetër”, mendojnë shumë komentues të Kuranit, se kjo është një argument i fryrjes së shpirtit pas përfundimit të kësaj faze dhe se gjatë fazave të zhvillimit s’ka fetusi shpirt, kështu që shpirti i frymohet mbas krijimit të eshtrave dhe organeve, e kjo ndodh mbas dyzetë ditëve të para e kurrsesi pas dyzetë ditëve të treta.

 

 

 

2) Duke marrë parasysh se janë transmetuar shumë transmetime nga hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. rreth formimit të fëmijës dhe fryrjes së shpirtit e kur të gjitha këto argumente i grumbullojmë, mund të nxjerrim se shpirti i frymohet fetusit brenda 40 deri 45 ditë nga fekondimi dhe ky është kuptimi më i afërm nga këto argumente.

 

 

 

Mendimi më i saktë ndër këto tri mendime është mendimi i parë, Allahu e di më së miri, se fëmijës i frymohet shpirti me plotësimin e 120 ditëve.

 

 

 

Dr. Sadat Rrustemi

 

Burimi: http://www.klubikulturor.com/

 

http://www.islamifejaevertete.com/

 

Must Read