SELAMI, dispozita dhe etika e tij – Pjesa e Parë
“O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë që s’janë tuajat derisa të kërkoni leje dhe të përshëndetni ata që janë në to (njerëzit e saj)..” (En Nur, 27)
“… Kur hyni në ndonjë shtëpi përshëndeteni njëri-tjetrin me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (Es-Selamu Alejkum) që është përshëndetje e bekuar dhe e këndshme…” (En Nur, 61)
“Kur ju urojnë me ndonjë përshëndetje, përgjigjuni me më të mirën prej saj, ose të paktën ktheni po atë…” (En Nisa, 86)
Pejgamberi, sal-Allahu-alejhi-ue selem, ka thënë: “Pasi Allahu e krijoi Ademin, alejhi-selam, i tha: “Shko dhe përshëndete atë grup të melaikeve që janë ulur dhe dëgjo si do të përshëndetin; Ajo përshëndetje do të jetë përshëndetja jote si dhe përshëndetja e pasardhësve të tu”. Ademi alejhis selam u tha: Es-Selamu Alejkum, e ata u përgjigjën: “Es-Selamu alejke ue-rahmetull-llah!” (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty!) duke i shtuar: “Ue Rahmetullah” (mëshira e Zotit)”.
(Buhariu, 3326 dhe Muslimi, 2841)
Pejgamberi, sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem, ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhennet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të mos duheni në mes vete. A nuk dëshironi t’ju udhëzoj në një gjë, nëse e bëni atë do të duheni në mes vete?
Përhapeni selamin (përshëndetjen) në mes jush!”
(Muslimi, 54)
Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem, ka thënë: “Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit (tjetër) janë gjashtë. “I është thënë, cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut?” Ka thënë: “Nëse e takon atë, t’i japësh selam atij…”
(Muslimi, 2162)
Dhënia e selamit është sunnet, ndërsa kthimi i tij është Uaxhib (obligim).
Argumentet nga Sunneti për këtë janë të shumta, për shembull:
Pejgamberi, sal-Allahu-alejhi-ue selem, ka thënë: “Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit (tjetër) janë gjashtë. “I është thënë, cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut?”
Ka thënë: “Nëse e takon atë t’i japësh selam atij…”
(Muslimi, 2162)
Gjithashtu vepra e Pejgamberit, sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem, dhe shokëve të tij, radijall-llahu anhu.
Kurse kthimi i selamit është Uaxhib (detyrë) dhe i përshëndeturi e ka për detyrë ta kthejë selamin, sepse në të kundërtën bie në mëkat.
Argument për detyrueshmërinë e kthimit të selamit është fjala e Allahut xhel-le shanuhu i cili thotë: “Kur ju urojnë me ndonjë përshëndetje, përgjigjuni me më të mirën prej saj, ose të paktën kthehni po atë…” (En Nisa, 86)
Ibn Hazemi, Ibn Abdul Berri dhe Ibn Tejmijje e kanë përmendur se ka Ixhma (konsensus) për detyrueshmërinë e kthimit të selamit.
Pyetje: Nëse një person i jep selam një grupi, a është detyrë e çdo njërit që t’a kthejë selamin, apo mjafton që njëri prej tyre ta kthejë atë (selamin)?
Kur një musliman përshëndet një grup (xhemat), nëse ia kthejnë të gjithë është më mirë, e nëse ia kthen (vetëm) njëri, të tjerët lirohen nga detyra dhe nuk bien në mëkat.
“Mjafton për një grup që nëse kalojnë pranë njerëzve, t’i përshëndetë njëri prej tyre.”
(Ebu Davudi, 5210. Shejh Albani ka thënë është Sahih (i vërtetë). E në Irvaulgalil ka thënë është hasen).
Forma e Selamit
Më e mira është “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu”, pastaj “Es-selamu alejkum ue rahmetull-llah”, e pastaj “Es-Selamu Alejkum”
Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, se një njeri ka kaluar pranë Pejgamberit sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem dhe tha “Es-Selamu Alejkum”. Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue selem ia ktheu; pastaj ai (njeriu) u ul, e Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue selem tha: “Dhjetë të mira”. Pastaj erdhi një njeri tjetër dhe tha: “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi”. Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem tha: “Njëzet të mira”. Më vonë erdhi edhe një njeri tjetër dhe tha: “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu”. Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem tha: “Tridhjetë të mira”
(Tirmidhiu, 2689; Shejh Albani ka thënë se është sahih. Gjithashtu e transmeton imam Ahmedi 19446 dhe Ed-Daremi 2640)
Ndërsa forma e kthimit është sikurse përshëndetja, e edhe më të mirë, dhe argument për këtë është fjala e Allahut tebareke ue te’ala
“Kur ju urojnë me ndonjë përshëndetje, përgjigjuni me më të mirën prej saj, ose të paktën po atë përshëndetje…” (En Nisa, 86)
Kthimi i selamit duhet të bëhet në shumës, edhe nëse përshëndetësi është një, dhe i thuhet atij: “Ue alejkumus-selam ue rahmetull-llahi ue berekatuhu”.
Pyetje: Nëse përshëndetësi përfundon me përshëndetje tek fjala “Ue berekatuhu”, a lejohet që i përshëndeturi të shtojë më tepër se “ue berekatuhu” duke u bazuar në ajetin Kur’anor “bi Ehsana minha” – edhe më të mirë…”
p.sh: “Bamirësia dhe falja qoftë mbi të”?
Kur kthehet selami nuk shtohet pas fjalës “ue berekatuhu” asgjë, edhe pse përshëndetësi përfundon me fjalën “ue berekatuhu”. Ibn AbdulBerri ka thënë: “Ka thënë Ibn Abasi dhe Ibn Omeri radijall-llahu anhu: “Mbaron selami tek fjala “ue berekatuhu”, ashtu siç e ka përmendur Allahu në Kur’an:
“Mirësia e Allahut dhe bekimi i tij qoftë me ju o familja e shtëpisë (së Ibrahimit). (Hud, 73)
Dhe kanë urryer ata të dy (Ibn Abasi dhe Ibn Omeri radijall-llahu anhu) që dikush të shtojë në selam pas fjalës “ue berekatuhu”. Et-Temhid 5/293.
Urrehet të filluarit e selamit me “Alejke-selam”-
Për këtë ka hadithe të shumta, disa prej tyre:
Transmeton Xhabir, biri Selim el-Huxhejmit se ai ka thënë: “Kam ardhur tek Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue-selem, dhe kam thënë: “Alejke-selam”. E ai më tha: Mos thuaj “Alejke-selam”, por thuaj: “Es-selamu-alejk”.
(Tirmidhiu 2722. Ka thënë hadith-hasen-sahih).
Tek Ebi Davudi ka ardhur me shprehjen: “Jam ardhur tek Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem, dhe i kam thënë Alejke-selam o i dërguari i Allahut. Ka thënë: mos thuaj “Alejke-selam”, sepse ajo është përshëndetje e të vdekurve.
(Sunen Ebi Davud hadithi nr. 5209. Shejh Albani ka thënë hadithi është sahih)
Këto hadithe:
1) Janë argument për urrejtje
2)Argumentojnë urrejtjen
Pëlqehet përsëritja e selamit 3 (tre) herë, nëse ata janë shumë, apo dyshohet që i përshëndeturi të mos ketë dëgjuar.
Transmeton Enesi radijall-llahu anhu, se Pejgamberi sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem, kur fliste e përsëriste atë 3 (tre) herë, e nëse vinte tek ndonjë grup i përshëndeste ata 3 (tre) herë.
(Buhari, 6244)
Imam Neveviu ka thënë: se nëse njerëzit janë të shumtë, dhe nuk e dëgjojnë atë, e ai ka për qëllim shumicën (është sunnet të përsëritë 3 herë).
Ndërsa, ibn Haxheri ka thënë: Kështu nëse përshëndetë dhe dyshon se i përshëndeturi nuk ka dëgjuar, është sunnet përsëritja e sajë për herë të dytë dhe të tretë dhe nuk e përsëritë me shumë se 3 (tre) herë.
Prej sunnetit është që selami dhe kthimi i tij, të bëhet publikisht me zë.
Pejgamberi, sal-Allahu-alejhi-ue-sel-lem, kur përshëndeste me selam, e ngrite zërin, e poashtu kur e kthente atë (selamin). Nuk arrihet shpërblimi i selamit nëse bëhet pa zë, përveç se në disa raste të veçanta.
Transmetohet nga Thabit ibn Ubejd radijall-llahu anhu, se ka thënë: “Kam ardhur në një tubim, e në të ishte Abdullah ibn Umeri radijall-llahu anhu dhe tha: Nëse përshëndetë me Selam, bëje me zë që të dëgjohet, sepse me të vërtetë ajo është përshëndetje e begatshme dhe me vlerë.”
(El-Edebul-mufred 1005, Shejh Albani ka thënë: është “Sahihul Isnad”).
Ibnul Kajjimi ka përmendur se prej sunnetit të Muhammedit, sal-Allahu-alejhi-ue selem ka qenë që kur e ka kthyer selamin e ka bërë në mënyrë që përshëndetësi ta dëgjojë atë.
(Zadul-Mead 2/419)
Ibn Haxheri ka thënë: “Argumentohet me urdhrin e dhënies së selamit, se nuk mjafton që selami të bëhet fshehurazi, por është kusht që të bëhet haptazi, më e pakta është që të dëgjohet ne fillimin e selamit dhe në kthimin e tij, dhe nuk mjafton të bërit shenjë me dorë apo diçka të ngjashme.”
(Fet’hul Bari 11/21)
Imam Neveviu ka thënë: Më e pakta gjë e selamit që e bën përshëndetësin ta kryejë sunnetin e selamit është që ta ngrit zërin e tij në mënyrë që ta dëgjojë i përshëndeturi, e nëse nuk e ngrenë zërin që ai (i përshëndeturi) ta dëgjojë selamin nuk është detyrë për të kthimi i tij (selamit).
Më e pakta që me të cilën bien detyrueshmëria e kthimit të selamit është që ta ngrit zërin e tij në mënyrë që ta dëgjojë përshëndetësi, e nëse nuk e dëgjon përshëndetësi kthimin e selamit nga i përshëndeturi, nuk bien nga ky i fundit detyra e kthimit të selamit.
(El-Edhkar 354, 355)
I kam përmendur të gjitha këto mendime të dijetarëve për shkak se shumë njerëz e anashkalojnë kthimin e selamit, dhe që t’iu bëhet e qartë kjo çështje në mënyrë që të bie nga ata mëkati.
(fjalët e autorit të librit)
Vazhdon…
Përgatiti: Hoxhë Valdet Kamberi
Burimi: www.islamifejaevertete.com