Imam Hasan el-Basri

 

Imam Hasan El-Basri


I zgjedhuri i kohës së tij në dituri dhe adhurim, Shejhu i Basrasë, njeriu që fliste me perla të urtësisë nga trashigimia e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-leme]. Prej tabi’inëve të cilët i lavdëroi i Dërguari i All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-leme]. Fjalët janë të paaftë të përshkruajnë këtë njeri që kuptoi realitetin e kësaj bote dhe duke ia kthyer shpinën kërkoi atë që All-llahu [subhanehu ve teala] e ka përgatitur për robërit e tij të sinqertë.

Quhet Hasan ibën Ebil Hasen Jesar Ebu Se’id meula (rob i liruar) i Zejd ibën Thabit El Ensari sipas disa historianëve meula (rob i liruar) i Ebi Jusr Ka’b ibën Amër Es-Sulemij.

Ëhstë lindur në kohën e hilafetit të Omerit [radijall-llahu anhu] gjegjësisht dy vjet para përfundimit të tij. Sipas disa transmetimeve fëmijërinë e ka kaluar në Medine ku gji i ka dhënë Nëna e besimtarëvë Ummu Seleme (vlen të përmendet se këta transmetime janë të dobëta për shkak të senedit jo të plotë-mursel)

Kur’anin e ka lexuar para Hittan ibën Abdil-la Er-Rekashi

Është takuar më shumë As-habë të Pejgmberit [sal-lallahu alejhi ve sel-leme] dhe ka transmetuar hadithe prej: Imran ibën Husajnit, El Mugire ibën Shu’be, Abdur-Rahman ibën Semure, Semure ibën Xhundub, Ebi Bekrete, En-Nu’man ibën Beshirit, Xhabirit, Enesit, Amër ibën Teglubit dhe shumë tjerë All-llahu [subhanehu ve teala] qoftë i kënaqur me të.

Është takuar edhe me Uthmanin dhe Talha ibën Ubejdil-lahin [radijall-llahu anhuma]

Ai poashtu ka përfituar edhe prej shumë dijetërë të tabi’inëve. Nxënës që më shumë kanë transmetuar prej tij janë Humejd Et-Tavili, Ibën Auni, Thabit El Bunani, Malik ibën Dinari dhe Ebu Esh-hebi.

 

Disa fjalë të dijetërëve për Hasan El Basriun:

 

Katadeja [radijall-llahu anhu] ka thënë: Ju këshilloj të uleni me këtë dijetër sepse nuk kam parë njeri që aq shumë i përngjan Umerit [radijall-llahu anhu].

Enesi [radijall-llahu anhu] thoshte: Pyetni Hasanin sepse ai i ka mbajtur mend (dituritë e fesë) e ne i harruam.

Humejdi thoshte: Askush si Hasani nuk kishte tipare të plota të burrërisë.

El Avvam ibën Havsheb ka thënë: Sa shumë i përgjantë Hasani Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Ebu Berdete ka thënë: Nuk kam parë njeri që aq shumë u përngjën shokëve të Resulul-lahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, si Hasani.

El Ata ka thënë: Kapu për këtë njeri, është Imam i madh që duhet përcjellur.

Er-Rebi’ ibën Enes ka thënë: Dhjetë vjet me rradhë mesonim tek Hasan El Basriu dhe çdo ditë sjellte diç të re.

Auf ibën El A’rabi thoshte: Ashkush si Hasan nuk e njihte rrugën e xhennetit.

Ibën Sa’di ka thënë: Hasan El Basriu ishte njeri që kishte tubuar dituri të shumtë, fekih i besueshëm, autoritet besnik, fliste gjuhën e pastër, i dalluar në devotshmëri, i bukur dhe i pashëm…

Disa qëndrime dhe fjalë të Hasan El Basriut:

Kur fliste fjalët e tij ishin plotë urtësi, fjalet e tij u përngjanin fjalëve të Pejgamberëve.

Kur e transmetoi hadithin e minberit në të cilin tregohet rasti i drurit mbi të cilin i mbante hutbet dhe i cili qau për shkak të largimit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, qante dhe thoshte: O robër të All-llahut pse spo qani nga mallëngjimi për të Dërguarin e All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-leme].

Thoshte: O biri i Ademit, ai që e lexon Kur’anin dhe beson në të i zgjatet pikëllimi, frika dhe të qajturit.

Thoshte: Fekih i vërtetë është asketi në këtë botë, që e njeh mirë fenë e tij dhe që është i përpikur në adhurim.

Thoshte: Atë që e madhëron dinarin do ta mposht All-llahu [subhanehu ve teala].

Thoshte: Sa shokë të këqij janë dynjaja dhe pasuria e saj nuk të bëjnë dobi përderisa nuk ua kthen shpinën.

Thoshte: Të larguarit prej mëkatit është gjë me e lehtë prej pendimit prej tij. Ç’është garanca yte se do të arrish të pendohesh para se të mbyllen dyert e pendimit?

Thoshte: Po qeshim dhe harrojmë se All-llahu në hollësi i di veprat tona.

Thoshte: Dituria shihet në modestinë e njeriut në mënyrën e të folurit dhe shikuarit.

Thoshte: Vdekja i prish kënaqësitë e dynjasë dhe nuk le vend për gëzim tek i mençuri.

Thoshte: O biri i Ademit ti nuk je gjë tjetër përpos disa ditëve të numëruara kur të shkon një ditë ka shkuar edhe një pjesë e ytja.

Thoshte: Besimtar i vërtetë ëshët ai që beson në fjalët e All-llahut ashtu siç i ka thënë, që bën vepra të mira dhe frikët që të mos pranohen tek All-llahu. Bamirësia e tij ia shton devotshmërinë dhe mirësinë.

Thash: All-llahu e mëshiroftë Hasan El Basriun Fjalët e tij me të vërtetë u përgjajnë fjalëve të Pejgamberëve.

Ndërroi jetë në muajin Shaban tëvitit 110 H All-llahu e mëshiroftë me mëshirën e tij të gjërë.

 

Autor: Mexhdi Arefat – altawhed.com

Përshtati: Talha Kurtishi – albislam.com

www.islamifejaevertete.com

 

Must Read