BallinaUncategorizedKomentim i sures EN-NAS nga Shejh Uthejmini

Komentim i sures EN-NAS nga Shejh Uthejmini

SURJA EN-NAS

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
1. Thuaj: Mbrohem me Zotin e njerëzve,
2. Sundimtarin e njerëzve,
3. të adhuruarin e njerëzve:
4. nga e keqja e djallit cytës që fshihet,
5. që hedh cytje në gjokset e njerëzve,
6. nga xhinët dhe njerëzit.

“Thuaj: Mbrohem me Zotin e njerëzve” – që është Allahu i Madhërishëm. Ai është Zoti i njerëzve dhe i të tjerëve. Zoti i njerëzve, Zoti i engjëjve, Zoti i xhindeve, Zoti i qiejve, Zoti i Tokës, Zoti i Diellit, Zoti i Hënës dhe Zoti i çdo gjëje. Ndërsa këtu, për shkak të kontekstit janë veçuar njerëzit.

“Sundimtarin e njerëzve” – domethënë, sundimtari që ka pushtetin kryesor mbi njerëzit dhe administrimin e plotë të tyre është Allahu.

“të adhuruarin e njerëzve” – domethënë, Ai të Cilit i drejtohen dhe e adhurojnë. Allahu i Madhërishëm është i adhuruari i vërtetë, të Ciline synojnë, e duan dhe e madhërojnë zemrat.

“Nga e keqja e djallit cytës që fshihet; që hedh cytje në gjokset e njerëzve.” Vesvas është masdar infinitiv) me kuptimin e emrit foljor – muvesvis (cytës). Vesveseh quhen mendimet, iluzionet dhe parafytyrimet e pavërteta që hidhen në zemrën e njeriut.

Hannas është djalli, i cili fshihet, shpartallohet dhe merr arratinë kur përmendet Allahu. Për këtë arsye, kur thirret ezani për namaz, djalli ikën duke nxjerrë erë me zë për të mos e dëgjuar ezanin. Kur mbaron ezani, ai kthehet dhe ikën prapë kur fillon këndimi i ikametit. Kur mbaron ikameti, ai kthehet prapë për t’i pëshpëritur njeriut për ato gjëra që ai nuk i kishte ndërmend: “Kujto ketë, kujto atë…”. derisa e bën të harrojë se sa rekate ka falur. (Buhariu, nr 608)

Në këtë kontekst eshtë përcjellë edhe ky transmetim: “Kur djajtë (gijlani i shkretëtirës) fillojnë të marrin forma të ndryshme, nxitoni të këndoni ezanin.” (Ahmedi, nr 14277). Gijlan quhen djajtë që i parafytyrohen udhëtarit si diçka e frikshme, apo si armiq: dhe kur njeriu këndon tekbirin (Allahu ekber), ata largohen.

“Nga xhinët dhe njerëzit” – cytësit janë nga xhinët dhe nga njerëzit. Sa i takon cytësve nga xhinët, kjo është e qartë, meqë ai qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku në vena. Ndërsa për sa i takon cytjeve të njerëzve, sa të shumtë janë ata që i vijnë njeriut dhe e frymëzojnë për vepra të këqija, duke ia zbukuruar ato për zemrën, aq sa bindet dhe jepet.

I Dërguari i këndonte gjithnjë këto tri sure (El-Ihlas, El-Felek dhe En- Nas) para se të flinte: i bashkonte duart si në lutje, këndonte suret dhe frynte (duke pështyrë lehtë) në pëllëmbët e duarve; pastaj, me duar fërkonte kokën dhe ato pjesë të trupit që mund të prekte. (Buhariu, nr 5017).
Ai i lexonte ato edhe pas pesë namazeve. (Davudi, nr 1521)
Pra, njeriu duhet të kujdeset të praktikojë sunetin për sa i përket këndimit të tyre, ashtu siç është përcjellë nga i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të!).

Burimi:
Libri: “Komentar i xhuzit Amme”
Autor: Muhammed ibn Salih el-Uthejmin
Shtëpia botuese “essebil”

Must Read