MEVLUDI KUNDËRTHËNËS
Ana tjetër e Mevludit
(Reagim ndaj shkrimit të hoxhë: Ragmi Destani në http://www.presheva.com/religjoni/besimi/17378-historia-e-mevludit-e-pergjithshme-dhe-te-shqiptaret.html)
Festimi i ditëlindjes së Muhamedit -alejhi selam!- në këto ditë është temë aktuale, flitet dhe shkruhet rreth kësaj në revista dhe internet, besa janë shkruar edhe libra nga ata që e mbrojnë dhe kundërshtojnë këtë veprim të legjitimuar.
Edhe dijetarët e hershëm nuk kane lënë pa përmendur dhe shkruar për këtë çështje, ndërsa veprimi i disa njerëzve apo shoqërive nuk e legjitimon një veprim të pa bazë në fenë e Allahut. Nuk kemi qoftë edhe një transmetim të vetëm se Muhamedi -alejhi selam!- ka festuar ditëlindjen e tij në periudhën e Mekës 13 vjeçare apo të Medinës 10 vjeçare, e as nuk ka porositur muslimanet për një veprim te tillë, apo t’ia kenë festuar shokët e tij pas vdekjes se tij dhe dijetarët e hershëm, qoftë me fjalë apo vepër.
Ka vdekur Muhamedi -alejhi selam!- dhe feja e Allahut është plotësuar dhe nuk ka lënë diçka të mirë e që nuk na ka lajmëruar dhe nxitur për atë Muhamedi -alejhi selam!- apo të keqe prej të cilës nuk na ka tërhequr vërejtjen.
Allahu në Kur’an ka thënë: ”Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time…”. Maide 3
I nderuari hoxhë, Ragmi Destani
E para
Më vjen mirë që pranoni se një veprim i tillë nuk ka qenë prezent dhe i njohur në kohën e Muhamedit -alejhi selam!-, as në kohën e shokëve të tij dhe tri gjeneratave të arta në islam, dhe ky është një realitet i pakontestuar. Çuditem se si pas këtij pohimi keni guximin të legalizoni festimin e mevludit bile edhe ta mbroni atë, kur një veprim të tillë nuk e kanë bërë as katër imamët e mëdhenj të islamit.
E dyta
Ne e dimë mirë që në islam së pari duhet të argumentohet e pastaj të besohet, dhe kjo është metodologji e Ehli Sunetit në argumentim. E, jo te besojmë e pastaj të bredhim në lindje dhe perëndim për të argumentuar atë që veç e kemi besuar paraprakisht, dhe besoj se këtu qëndron problemi.
E treta
Pasi në një mënyrë apo tjetër mundoheni ta mbroni mevludin, e që asnjëherë nuk do të mbrohet e kota duke shtrembëruar argumentet. Të pyes sinqerisht Hoxhë Ragmi Destani: a jeni ju dhe stafi juaj pranë bashkësisë islame në Bujanoc që keni botuar versionin e shkurtuar të mevludit, pse e bëtë këtë dhe me kënd u konsultuat të prekni në mevludin e “shenjtë”? Këtë e keni bërë me argument apo me epshe personale dhe institucionale që dikur i udhëhiqnit ju si kryetar? Pse nuk i keni treguar opinionit publik për këtë veprim dhe pse e mbani të fshehur një gjë të tillë? Atëherë ose të këndoni versionin e plotë që është i njohur tek masa ose të braktisni të tërin dhe për këtë padyshim se do të shpërbleheni tek Allahu.
E katërta
A pajtohesh se sikur në këndimin e mevludit të mos keni përfitime personale dhe materiale do ta këndonit atë? Pse hoxhallarët tek te cilët ka shumë peshë ky veprim asnjëherë nuk e kanë bërë në shtëpitë e tyre? Pse hoxhallarët të thonë atë që nuk e veprojnë, dhe kjo është e ndaluar në islam? Allahu ka thënë: ”Pse e thoni atë që nuk e punoni?”
E pesta
Mevludin për herë të parë e kanë shpikur Ubejditët (udhëheqësit e shtetit Fatimit-Shi’it) që sunduan Egjiptin dhe Marokun. A jeni në dijeni se ata këtë e bënë për të mbuluar urrejtjen që krijuan populli për ata pasi që ata haptazi shanin dhe anatemosnin (nxirrnin nga feja shokët e Muhamedit -alejhi selam!-). Pse t’i pasojmë dhe mbrojmë me ngulm ata që shanë shokët e Muhamedit alejhi selam? Pse nuk ke treguar mendimin e dijetarëve islam rreth këtij grupi të devijuar që shpikën për herë të parë mevludin e që edhe ne sot në këtë kohë po i ndiejmë dhe vuajmë pasojat?
Tregoi lexuesve të botës virtuale se dijetarët islam i kanë nxjerrë nga feja këto grupe, ndërsa ne ende i marrim veprimet e tyre dhe punojmë me ato.
E gjashta
Muslimani është i obliguar të pasojë të vërtetën dhe argumentin, e jo veprimet e njerëzve dhe shteteve, kështu që fenë e tij ta ruajë dhe ndërtojë mbi baza të shëndosha fetare, dhe për çdo kundërshtim të kthehemi tek fjala e Allahut dhe suneti i Muhamedit alejhi selam. Allahu ka thënë: ”O ju që keni besuar, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrone atë te Allahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari i Allahut (suneti i tij), po që se i besoni Allahut dhe ditës se fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë” (Nisa:59) .
Nëse shikojmë atë që veprojnë njerëzit për ditëlindjen e Muhamedit -alejhi selam!- dhe e kthejmë atë në Kur’an dhe sunetin e Muhamedit -alejhi selam!- nuk gjejmë ndonjë argument që mbështetë këtë veprim.
Po ashtu, nëse shikon në ata që bëjnë këtë vepër ose janë njerëz injorantë që nuk e njohin fenë e Allahut, ose janë njerëz që kanë epshe dhe nuk dorëzohen para argumenteve të qarta.
E shtata
Ndarja e bidatit në “bidat të mirë dhe të keq” është fjalë e pa argumentuar fetarisht, përkundrazi Muhamedi -alejhi selam!- ka thënë: ”Kush shpikë në fenë tonë atë që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar” (Buhariu dhe Muslimi), gjithashtu, ka thënë: ”kush vepron diçka që nuk kemi urdhëruar është e refuzuar”. Muhamedi alejhi selam në hutbet e tij thoshte: ”Keni kujdes nga shpikjet në fe, sepse çdo shpikje-risi është bidat, e çdo bidat është humbje”. I dërguari i Allahut nuk ka përmendë këtë apo atë bidat, por ka thënë: çdo bidat” , e qe në këtë rast hyn edhe Mevludi. Një pyetje: si ka mundësi të jetë bidat i mirë, ndërsa Muhamedi -alejhi selam!- thotë që çdo bidat është humbje. Vallë kujt t’i besojmë?! Një herë thoni bidat, që fetarisht është e keqe dhe këtë e përdorë edhe popullata, pastaj për të njëjtën kthehesh dhe thua bidat i mirë, kjo a nuk është kontradiktore?!
Bidati-risia ka të bëjë me çështjet e fesë së Allahut dhe me ato veprime që afrohemi drejt Tij, ndërsa çështjet e dunjasë nuk hynë në këtë hadithe, si psh: ushqimet, pijet, mjetet e bartjes dhe teknologjia, dhe bidati çdo herë mbetet bidat-risi deshtëm apo nuk deshtëm.
E teta
Disa gjate leximit të Mevludit besojnë se atë tubim e viziton shpirti i Muhamedit -alejhi selam!- dhe për këtë e lënë hapur një dritare të atij tubimi, e në këtë raste vërehet qartë se kanë bashkuar mes bidatit dhe mos edukatës me Muhamedin —-alejhi selam!-, sepse kjo është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Allahu në Kur’an: ”Nuk është mirësi të hyni nga mbrapa në shtëpitë, por mirësi është kush ruhet (nga të këqijat). Në shtëpi hyni kah dyert e tyre dhe kini frikë Allahun që të gjeni shpëtim”, (Bekare 189).
Gjithashtu, ngritja në këmbë gjatë Mevludit, po ashtu, është bidat mbi bidat, sepse bidati tërheq mbrapa bidatin tjetër sikurse në këtë rast. I Dërguari i Allahut ka ndaluar dhe urryer sa ishte gjallë që dikush të ngritej në këmbë për atë, e si ka mundësi që i njëjti veprim të jetë i pëlqyer në mevlud?! Muhamedi alejhi selam ka thënë: ”mos u ngritni ashtu sikurse ngritën te huajt, madhërojnë njëri-tjetrin” (Ahmedi).
Disa shkojnë edhe më larg duke besuar se ngritja në këmbë është për shkak se shpirti i Muhamedit -alejhi selam!- është prezent dhe i flet për dore të pranishmëve në tubim. Ky besim nuk ka bazë në Kuran e as ne Sunetin e të dërguarit të Allahut.
E nënta
Opinioni duhet të dijë se ka mospajtime mes dijetarëve të islamit rreth datëlindjes së Muhamedit -alejhi selam!- dhe kjo është e njohur në librat e dijetarëve dhe librat e historisë. Por, dihet se ka konsensus mes dijetarëve se Muhamedi -alejhi selam!- ka vdekur me 12 Rebiul-Evvel, si rrjedhojë ne po festojmë lindjen apo vdekjen e të dërguarit të Allahut?! Besoj se këtë të dhënë do ta merrni në konsideratë.
E dhjeta
Për shkak të rëndësisë që i kanë dhënë kësaj dite hoxhallarët me dije apo pa dije, njerëzit sot bëjnë harxhime për ta festuar atë, bile nëse nuk iu jepet mundësia ndoshta do të zhgënjehet xhemati, ndërsa ai që e bënë ndihet i privilegjuar, sepse në njërën nga frazat e mevludit thotë kështu:” Kush e knon e kush e ngon ka shume sevap, ndërsa ati që i bëhet nijet pa hesap”, Allahu na ruajttë nga ky besim. Apo fraza tjetër inkurajuese që bukfalisht nuk më kujtohet: ”se ai që bënë mevlud nuk i bëhet asnjë qederr-e keqe”, ndërsa realiteti tregon të kundërtën e kësaj.
E njëmbëdhjeta
Pse çdo herë prezantoni tek të pasurit dhe asnjëherë nuk keni bërë një mevlud vullnetar tek të varfrit. A thua ata nuk kanë dëshirë të përfitojnë nga kjo e “mirë”?!!! A thua ata nuk duan të hynë në xhenet dhe të kenë këto privilegje?
E dymbëdhjeta
Është moral fetar që kur argumentohesh me ndonjë dijetarë të sjellësh fjalinë e plotë e jo të shpifësh se Ibën Tejmije -Allahu e mëshiroftë!- e ka lejuar një gjë të tillë. Dihet shumë mire se ai botërisht e ka luftuar mevludin dhe librat e tij janë të mbushura për këtë fakt. Edhe sikur Ibën Tejmije të lejonte një veprim të tillë, për ne i shenjtë është argumenti e jo njerëzit. Fjalët e njerëzve argumentohen dhe asnjëherë nuk janë argument në vete.
E trembëdhjeta
A e lejoi vërtetë Ibën Tejmije “Mevludin”?
Shejhul Islam Ibën Tejmije, në librin Iktidau Siratil Mustekim, botimi: Darul Asime 1998, vëll: 2, fq: 123-124 thotë:
“…Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem!, pati shumë hutbe, marrëveshje dhe ndodhi në ditë të ndryshme, sikurse: dita e Bedrit, Hunejnit, Hendekut, Çlirimi i Mekës, Hixhreti, Momenti i hyrjes së parë në Medinë si dhe shumë hutbe ku shpjegonte themelet e kësaj feje. Mirëpo, asnjë nga këto ditë nuk urdhëroi të festohet. Gjëra të atilla bëjnë krishterët ose çifutët, të cilët ditët e rëndësishme i shndërrojnë në festa. Por, festa është sheriat, atë që e ka ligjëruar Allahu ndiqet, përndryshe nuk ka nevojë të shpiket në Fe diçka që nuk është pjesë e saj.
E njëjta vlenë edhe për atë që e kanë shpikur disa njerëz duke dashur të barazohen me krishterët në ditëlindjen e Isait, alejhi selam!, ose duke e dashur dhe madhëruar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem! Ndoshta, Allahu do t’i shpërblejë këta njerëz për dashurinë dhe respektin e shprehur, por jo për bidatet, siç është shpallja e ditëlindjes së Pejgamberit (mevludit) -sal-lallahu alejhi ue selem!- për festë. Edhe pse njerëzit në raport me mevludin janë të ndryshëm, kjo është një vepër që gjeneratat e para nuk e kanë bërë edhe pse kushtet përshtateshin dhe pengesa nuk kishte, po të ishte një vepër e hairit.
Sikur të ishte një vepër e hairit tërësisht apo të kishte peshë, gjeneratat e para do të ishin më meritorë ta bëjnë një vepër të atillë, sepse ata e donin dhe madhëronin Resulullahun më shumë sesa ne dhe për hairin ata kujdeseshin më shumë.
Madhërimi dhe dashuria e plotë ndaj tij manifestohet duke e ndjekur, duke iu bindur, duke pasuar urdhrin e tij, duke ngjall sunetin e tij nga ana e brendshme dhe e jashtme, duke përhapë mësimet e tij dhe duke bërë xhihad për këtë me zemër, me dorë dhe me gjuhë. Kjo është rruga e paraardhësve tanë të parë, muhaxhirin dhe ensarë dhe rruga e atyre që i ndoqën me ihsan.
Shumicën e tyre do ta gjesh të kujdesshëm për të bërë bidate të atilla. Megjithëse kanë nijetin e mirë dhe mundin që bëjnë, për të cilat pritet të shpërblehen, do t’i gjesh të plogët para urdhrit të Resulullahut dhe para porosive që ai ka urdhëruar të veprohen.
Puna e tyre është sikur puna e atyre që zbukurojnë Mus’hafin por nuk e lexojnë, apo e lexojnë por nuk e ndjekin; sikur puna e atyre që zbukurojnë xhamitë dhe nuk falen aty, apo falen vetëm pak; dhe sikur puna e atyre që gjejnë tespi dhe sexhade të zbukuruara. Zbukurimet e këtilla nuk janë të ligjëruara, madje së bashku me të vijnë syefaqësia, mendjemadhësia dhe largimi nga veprat e duhura, gjëra këto që e prishin njeriun. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Sa herë që prishet gjendja e një populli, ata i zbukurojnë xhamitë”…
Pyetje për ata keqinterpretuesit dhe shtrembërues
1. Pse e tradhtoni dijen që e keni marrë?
2. Pse i shkurtoni tekstet sipas epshit tuaj, a ju është zbrazur kuleta vallë? Pse nuk i citoni fjalët e dijetarëve nga fillimi deri në fund?
3. Pse mendoni se do të lejohej bidati nëse një dijetar do ta lejonte, qoftë ai edhe Ibën Tejmija, që për fatin e keq tuajin, ai nuk po e lejon, por ju po mundoheni të bëni mashtrime?!
Dua
O Allah! Bëje të qartë të vërtetën dhe na mundëso ta ndjekim dhe bëje të qartë të pavërtetën dhe na mundëso ta braktisim.
Vërejtje: Pjesën nga ky shkrim, a e ka lejuar mevludin Ibën Tejmija e kam huazuar nga hoxhë Omer Berisha.
E katërmbëdhjeta:
Disa pretendojnë se me këtë nderojnë Muhamedin -alejhi selam!- A thua vallë duhet ta nderojmë dhe duam atë vetëm në një ditë dhe në një muaj të vitit, apo t’i jetësojmë fjalët dhe veprimet e tij gjatë gjithë jetës. Ne e nderojmë dhe duam me pasim e jo duke kundërshtuar. Pse vetëm në këtë muaj të kujdesemi për Muhamedin -alejhi selam!- ndërsa në muajt në vijim të mos i kushtojmë vëmendje jetës dhe biografisë së tij.
– Gjurmët e këqija në bidatin e “Mevludit”:
1. Pretendimi se po afrohemi tek Allahu me atë që nuk jemi obliguar në Kur’an, e as ne sunetin e Muhamedit -alejhi selam!-
2. Thumbimi i përsosmërisë së sheriatit islam, Allahu ka thënë: ”Sot përsosa për ju fenë tuaj…”.
3. Mospranim dhe dyshim i besueshmërisë se Muhamedit -alejhi selam!-, dhe njëherit dyshim se ai nuk e ka kumtuar shpalljen dhe nuk e ka këshilluar umetin, e në këtë rast nuk na ka këshilluar për festimin e ditëlindjes së tij!
4. Disa këtë ditë e konsiderojnë festë dhe si rrjedhojë ndalojnë agjërimin, ngrënien e ushqimit dhe pijes.
5. Dyshim në dashurinë e sahabëve ndaj Muhamedit alejhi selam, sepse ata nuk festuan ditëlindjen e tij!
Festojnë duke ia bashkangjitur këtij manifestimi: mjetet muzikore dhe këngën, duke bërë përzierjen mes meshkujve dhe femrave, etj.
Festimi i ditëlindjes së Muhamedit -alejhi selam!- është përngjasim me të krishterët që festojnë ditëlindjen e Isaut -alejhi selam!- Ne e kemi mësuar se sipas islamit jemi të urdhëruar t’i kundërshtojmë të krishterët dhe jehudët.
Përgatiti: Hoxhë Valdet Kamberi
Burimi: www.islamifejaevertete.com