BallinaAKTUALEAnalizaSelefitë janë racionalistët!

Selefitë janë racionalistët!

 

Selefitë janë racionalistët!

 

Dr. Xhafer Shejh Idris

 

Miku i një dijetari selefi, duke bashkëbiseduar me të i tha: Ju selefitë akuzoheni se nuk jeni njerëz racional!

Dijetari selefi iu përgjigj: Nëse me racionalizëm kuptohet pranimi i kërkesave të arsyes, ku të pranohen përfundimet e nxjerra nga argumentet e sakta logjike e ku të refuzohen kontradiktat dhe të mos merret në konsideratë asnjë pretendim pa pasur argument; e, pra, nëse racionalist do të thotë të vësh në funksion arsyen dhe mendimin, atëherë ne e meritojmë më shumë se çdo kush tjetër të quhemi racionalistë.

Miku i tha: E, si mund të jeni ju më racionalistë se të tjerët, ndërkohë që në mesin e këtyre të tjerëve ka njerëz që i japin përparësi arsyes logjike para tekstit të shpalljes? A nuk e meritojnë këta njerëz që më shumë se ju të quhen racionalistë?

Dijetari i tha: Përkundrazi, kjo tregon mungesën e arsyes tek këta njerëz!

Miku i tha: Si, në ç’mënyrë?

Dijetari i tha: A nuk janë ata muslimanë? A nuk e kanë pranuar ata me arsye faktin se Muhamedi (alejhi salatu ue selam) është i Dërguari i Allahut dhe se Libri që ai solli është Fjala e Allahut?

Miku tha: Posi jo!

Dijetari: Atëherë, a e dinë ata se çfarë thotë Allahu në Librin e Tij dhe Profeti është e vërtetë në të cilën nuk ka pikë dyshimi?

Miku: Natyrisht që po!

Dijetari: Atëherë ç’kuptime ka t’i japësh përparësi arsyes para fjalëve të cilat ti e di se janë të vërteta?

Miku: Atëherë, cili është qëndrimi juaj si selefi rreth kësaj?

Dijetari: Ne themi ashtu siç kanë thënë shumë prej imamëve tanë: Atë që e provon arsyetimi i drejtë ajo patjetër që përputhet me shpalljen që është autentike. Nëse ndodh të ketë mospajtime në mes tyre për diçka, atëherë problemi qëndron ose tek fakti se teksti fetar mund të mos jetë autentik, ose është kuptuar gabim, ose ajo çka thuhet se është arsyetim i drejtë nuk është i tillë.

Miku: Ata që quhen racionalistë thonë se, ju nuk mund të jeni racionalë ndërkohë që ju e lidhni besimin tuaj me disa njerëz, e veçanta e të cilëve qëndron vetëm në faktin se janë selef (të parët) që kanë jetuar në kohën e shkuar?

Dijetari selefi: Së pari duhet të dini se ne nuk e marrim fenë tonë nga njerëz që kanë jetuar në të shkuarën apo në të sotmen. Burimi i fesë te ne është Libri i Allahut dhe Suneti i Profetit (alejhi salatu ue selam), para tyre nuk vëmë asnjë. Kështu na ka urdhëruar Allahu i Lartësuar: “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm.” (el-Huxhurat: 1)

Miku: Atëherë, çfarë lidhje keni ju me këta njerëz që kanë jetuar para jush?

Dijetari selefi: Le të themi në fillim se çfarë kuptojmë ne me selef (të parët). Selef për ne konsiderohen sahabët e të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam), pas tyre vijnë tabiinët (pasuesit e sahabëve) e më pas pasuesit e tabiinëve. Lidhja e jonë me ta qëndron tek pasimi i shembullit të tyre në të kuptuarin dhe zbatimin e fesë, për arsye që nëse dikush do t’i shihte me kujdes do të vërente se janë mjaft racionalë.

Miku: Cilat janë këto arsye?

Dijetari: Së pari: Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar sahabët e Profetit (alejhi salatu ue selam), lëvdatë kjo që tregon për të kuptuarin e drejtë të fesë nga ana e tyre dhe për sinqeritetin që ata kishin në praktikën e saj. Ai thotë: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt, e me një plaçkë të madhe që do ta fitojnë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (el-Fet’h: 18-19)

“Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt.” (el-Huxhurat: 7)

Së dyti: Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë brezi im, më pas ata që vijnë pas tyre, e më pas ata që vijnë pas tyre.”

Mirësia këtu përfshin të kuptuarit e drejtë të fesë dhe të vepruarit mirë me të, tamam siç thotë vetë Profeti (alejhi salatu ue selam) për këtë gjë: “Atij që Allahu ia do të mirën e bën ta kuptojë fenë.”

Së treti: Këto tre breza janë ata breza me gjuhën e të cilëve zbriti Kurani dhe me gjuhën e të cilëve foli Profeti (alejhi salatu ue selam), ndaj është më se normale që këta njerëz t’i kuptojnë më drejt sesa të tjerët fjalët e Allahut të Madhëruar dhe fjalët e Profetit (alejhi salatu ue selam). Sahabët ishin ata që jetuan kohën e zbritjes së shpalljes, prezantuan në rastet kur foli Profeti (alejhi salatu ue selam), mësuan drejtpërdrejtë prej tij, ashtu siç mësuan edhe nga njeri-tjetri po ashtu.

Së katërti: Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar të ndjekim çdo kë për të cilin Ai ka dëshmuar se është në të vërtetën, Ai thotë për këtë: “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti ndiq rrugën e tyre.” (el-Enam: 90)

Miku: Kjo atëherë do të thotë se, ju e ngurtësoni të kuptuarin e fesë sipas kuptimit të vjetër të tij dhe nuk toleroni një kuptim të ri për të dhe nuk lejoni as ixhtihad në të?

Dijetari: Së pari: Nëse kuptimi është i saktë nuk ka rëndësi nëse kjo është e re apo e vjetër. Ne përpiqemi vazhdimisht të kuptojmë poezinë e kohës paraislame ashtu siç e kuptonin ata që ishin para nesh, po kështu, edhe perëndimoret nuk heqin dorë nga fakti që të kuptojnë filozofinë greke ashtu siç ajo është kuptuar në kohën e saj kur ajo u lëvrua.

Së dyti: Ajo që ne marrim prej selefëve mund të emërtohet si perceptimi i bazës për kuptimet që kanë tekstet. Ky perceptim është i domosdoshëm për çdo meditim mbi përmbajtjen e teksteve dhe ixhtihadit në të.

Miku: Çfarë do të thuash me këtë?

Dijetari: Me këtë dua të them se, nëse ti nuk arrin të kapësh kuptimin bazë të fjalëve, si mundet të meditosh apo të mendosh për të?

Miku: Pra, ju e përdorni arsyen edhe me vetë tekstet?

Dijetari: Natyrisht! Sepse vetë Zoti ynë na ka urdhëruar të meditojmë mbi Librin e Tij, e, a mundet vallë të meditohet pa vënë në punë arsyen?!

Miku: Ku qëndron dallimi atëherë në mes jush dhe atyre që i quajnë racionalistë?

Dijetari: Ne nuk jemi dakord me atë që thuhet se ata janë racionalë, ne vëmë re se ata në metodën që ndjekin janë kontradiktorë dhe bien ndesh me racionalitetin, siç ta thashë edhe më parë.

Miku: Sipas mendimit tuaj, në fe ku lejohet hapësira e arsyes?

Dijetari: Arsyeja mund të përdoret në hapësira të shumta, ndërmjet tyre në Kuran, në perceptimin e kuptimit bazë, perceptim logjik ky që është i përbashkët si për një besimtar ashtu dhe për një jobesimtar, njerëz këta të cilët flasin të njëjtën gjuhë me të cilën zbriti Libri i Allahut dhe foli me të edhe Profeti (alejhi salatu ue selam). Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t’ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!” (el-Bekare: 75)

Njeriu i beson një fjale apo e mohon atë, e përcjell të saktë apo e deformon atë, vetëm pasi e ka kuptuar atë.

Miku: Një pikë tjetër e rëndësishme me të cilën ju akuzojnë juve dhe e konsiderojnë si çështje që bie ndesh me arsyen është edhe fakti se ata thonë se ju megjithëse e lexoni fjalën e Allahut të Lartësuar: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” (esh-Shura: 11) ju në realitet e përngjisni Allahun me krijesat e Tij, kur thoni p.sh. se qëndrimi mbi Arsh është real, se zbritja e Tij është reale, apo thoni se Ai ka sy real?

Dijetari: Po ata çfarë thonë për këto? A thonë se Allahu i Lartësuar e përshkruan Veten e Tij me cilësi që nuk janë reale?

Miku: Ata thonë se me këto cilësi mund të cilësohen realisht vetëm krijesat, ndaj patjetër që ato duhet të interpretohen, kur me të tilla atribute cilësohet Allahu.

Dijetari: Edhe kjo që the nuk gjë tjetër vetëm se pasojë arsyes së të tyre të ngushtë dhe përdorimit të pakët të saj, përndryshe cila është ajo arsye që thotë se atribute reale janë vetëm cilësitë e krijesave? Përkundrazi, ajo që thotë arsyeja dhe dëshmon edhe jeta është se cilësitë kanë kuptime të cilat marrin modalitete të ndryshme sipas objektit që i mbart ato cilësi. P.sh. syri ka një kuptim, por syri i njeriut nuk është si syri i pëllumbit e syri i pëllumbit nuk është si syri i devesë etj. Nëse kjo vlen të jetë e saktë për krijesat, që gjithsesi kanë ngjashmëri në mes tyre, pse të mos jetë e saktë për Allahun që nuk i shëmbëllen asgjë?

Ne i njohim kuptimet e atributeve siç është syri, qëndrimi (istiua), zbritja, mëshira, por ne nuk njohim modalitetet që ato marrin kur me to cilësohet Krijuesi i Madhëruar. Ky është edhe kuptimi i fjalës së imam Malikut kur tha: “Qëndrimi (istiuaja) nuk është i paditur, mënyra sesi, nuk perceptohet.”

Pastaj, nëse ti kthen në rregull absolut faktin se, Allahun nuk do ta cilësosh me asnjë atribut që përmban një kuptim prej kuptimeve që kanë cilësitë e krijesave, kjo të çon si përfundim në mohimin e Krijuesit. Sepse ti nuk mund ta përshkruash më Zotin tënd me asgjë. Madje as me faktin se Ai ekziston, për aq kohë sa ti i cilëson edhe krijesat e Tij me këtë cilësi. Në këtë rast nuk të bën dobi fakti të thuash se do t’i kthehesh interpretimit (tauil), sepse nëse ti i interpreton këto cilësi patjetër që do të përdorësh një atribut të caktuar, pra nuk bën gjë tjetër vetëm se zëvendëson një atribut të përmendur në Librin e Allahut me një atribut tjetër. A do ta interpretosh edhe këtë e pastaj, pra do ta interpretosh edhe atë me të cilën bërë interpretimin… e kështu pambarimisht?!

 

 

Përktheu: Hoxhë Justinian Topulli

Referenca: jtopulli.wordpress.com

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

 

 

Must Read