BallinaUncategorizedSi të veproj kur i bëj padrejtësi tjetrit!

Si të veproj kur i bëj padrejtësi tjetrit!

Pyetja:

Selam alejkum! Allahu jua shpërbleftë për punën që bëni. Doja të dija nëse dikujt apo pasurisë së tij i bën keq apo padrejtësi, por pa qëllim (pa dashje) dhe nëse ai mallkon, a të kap mallkimi i tij? A ka ndonjë këshillë në Islam në këto raste?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Vërtet një nga gjërat për të cilat më së shumti na e ka tërhequr vërejtjen Zoti i Madhëruar përmes të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, është të ruhemi nga lutja e personit të cilit i bëhet zullum (padrejtësi). I Dërguari salallahu alejhi ve selem thotë: “Tre personave nuk u kthehet duaja prapa: prijësit të drejtë, agjëruesit gjersa të bëjë iftar dhe lutja e atij që i është bërë zullum.” (Tirmidhiu)

Dhe thotë: “Ruaju nga duaja e atij që i është bërë padrejtësi sepse ndërmjet tij dhe Allahut nuk ka perde.” (Buhariu)

Gjithashtu ai e bënte edhe këtë lutje: “Allahu im, kërkoj mbrojte te Ti nga lodhja e udhëtimit, kthimi i molisur, nga prishja e gjërave pas përmirësimit të tyre, nga lutja e atij që i është bërë zullum dhe shikimi i keq në familje dhe pasuri.” (Hadithi është sahih, shënon Nesaiu)

Prandaj, vëlla i nderuar, ju këshillojmë që të keni kujdes në këto raste dhe mos nxitoni që të ndërmerrni hapa të ngutura në raport me njerëzit e tjerë. Vërtet nxitimi na shpie të tejkalojmë kufijtë ndaj të tjerëve. Gjithashtu ju këshillojmë që për ta përmirësuar gabimin ose zullumin që u keni bërë të tjerëve dhe për t`i ikur kapjes së lutjes së atij personi që i keni bërë padrejtësi, është e nevojshme që ju, posa ta kuptoni gabimin, të shkoni te personi në fjalë dhe t’i kërkoni falje dhe t`ia ktheni hakun. Zoti e di më së miri!

Hoxhë Alaudin Abazi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read